Dy ish-zyrtarë të Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) janë vendosur nën masa sigurie nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, të kryera në bashkëpunim.
Më 23 shtator 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi kërkesën e SPAK për vendosjen e masës "arrest në burg" për inspektorin pranë ISHTI-t, Olsi Jarazi dhe "arrest në shtëpi" për ish-inspektorin e këtij institucioni Luan Sadikaj.
Masat e sigurimit u ekzekutuan nga Policia e Shtetit më 27 shtator 2025.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, procedimi penal ka nisur mbi bazën e një hetimi të mëparshëm të Prokurorisë së Korçës, për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Hetimet e zhvilluara nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë zbuluar se më 1 nëntor 2021, dy të hetuarit kanë marrë një shumë prej 900.000 lekësh dhe 10.000 dollarësh nga subjekti privat J.S., me qëllim shmangien e gjobave administrative.
Sipas SPAK subjekti në fjalë ushtronte aktivitet tregtar në qytetin e Korçës pa dokumentacionin teknik dhe licensat përkatëse.
Njoftimi i SPAK
Dy inspektorë të ISHTI-t nën masë sigurie për korrupsion, me vendim të Gjykatës së Posaçme
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të një çështjeje penale të regjistruar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”*, kryer në bashkëpunim, ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve. Në datën 23.09.2025, me vendimin nr. 95, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal:
“Arrest në burg”, ndaj shtetasit O.J., me detyrë inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale;
“Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit L.S., ish-inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Masat e sigurimit janë ekzekutuar më 27.9.2025, me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal
Në datën 5.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.44të vitit 2025, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr. 385/1 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244, paragrafi 2 dhe 259, paragrafi 2 e 25 te Kodit Penal, i cili u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Hetimet dhe gjetjet
Nga hetimet proaktive dhe metodat speciale të hetimit, të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka rezultuar se në datën 1.11.2021, të hetuarit O.L. dhe L.S., kanë marrë shumat monetare 900.000 (nëntëqind mijë) lekë dhe 10.000 (dhjetë mijë) dollarë.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë është marrë nga dy inspektorët e ISHTI-t, të caktuar për inspektim tek subjekti privat J.S. me vendndodhje në Korçë, me qëllim për të mos e ndëshkuar me masë administrative, subjektin privat J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licensën përkatëse.
(A2 Televizion)