“Unë nuk doja t’i hyja luftës, pasi kisha shumë familje që i kishin sytë tek unë”. Kjo ishte një nga deklaratat e Erion Alibejt, i penduari drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme, ku ndau të tjera detaje të investimit të tij kriminal për të gjetur dhe eliminuar ata që sipas tij i kishin vrarë anëtarë të familjes.
Për gati tre orë me radhë Alibej tha pas ngjarjes së njohur si “Masakra e Bradasheshit” ku ju vra vëllai, Endrit Alibej, daja Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk mik i familjes, gjithë energjitë i kishte çuar në gjetjen e Talo Çelës.
“Isha i fokusuar tek Talo Cela. E kërkoja doemos, të vdekur a të gjallë. Kisha hedhur fjalë, që doja çdo informacion për të”, tha Alibej.
Alibej rrëfeu se një nga informatorët më të besuar mbi kundërshtarët e tij kishte pasur Ardian Çokallun, i ekzekutuar në tetor 2021 në Elbasan.
“Unë kisha sistemin TIMS që kontrolloja gjithë çka doja. Të gjithë emrat nisa t’i identifikoj. I kisha më foto dhe gjithë hyrje-daljet e tyre në kufi. Të gjithë, nga Çopjat, Mikael Qosjen e Dashnor Dumanin. Po grumbulloja shumë informacion. Jo se po harroja Suel Celën. Ai kujtonte se më kishte lënë në gjumë, por unë nuk kam fjetur asnjëherë të vetme”, tregoi Alibej.
I penduari deklaroi se kishte mësuar një takim mes Abedin Mamës, një nga të pandehurit e dosjes “Plumbi i artë”, me zyrtarët e policisë Ardi Veliu e Tonin Vocaj në Elbasan.
“E mora si informacion. Ndërkohë kërkoja për ekzekutorët e familjarëve të mi. E kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin. I kam vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha infot e mia”, tha Alibej, që shtoi se e kishte humbi besimin tek institucionet e drejtësisë.
Ai tregoi se ndërsa ishte në kërkim nga policia, kishte dalë për hetime në Elbasan, me motor, i maskuar si shpërndarës picash.
Erion Alibej tha se kishte paguar Nuredin Dumanin për të vrarë Dorian Shkozën, me qëllim që më pas “të bëhej i gjallë” Talo Çela.
Dëshmia e të penduarit u ndërpre disa herë nga avokatët e të pandehurve, që pretenduan se Alibej po fliste në përgjithësi dhe jo për fakte konkrete.
(A2 Televizion)