Kërkesa e SPAK-ut për dërgimin e Sali Berishës në “arrest shtëpie” me mbikqyrje policore nuk mori përgjigje nga Gjykata e Posaçme as në ditën e dytë të shqyrtimit të saj.
Gjykata vendosi ta shtyjë edhe një herë seancën, duke caktuar orën 15:00 të së enjtes për shpalljen e vendimit, nëse do ta izolojë apo jo në shtëpi ish-kryeministrin. Përgjatë 3 orëve seancë, gjykata u përball me disa kërkesa të avokatëve të Berishës, mes të cilave edhe atë të lejimit të mediave në sallë.
Refuzimi i të gjitha kërkesave të tyre i çoi avokatët në një kërkesë tjetër për përjashtimin e saj nga procesi.
Për ish-kryeministrin nën hetim për korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, SPAK i ka kërkuar gjykatës masën “arrest në shtëpi”, nën mbikqyrje policore, si edhe ndalim të komunikimit me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton në të njëjtën banesë. (A2 Televizion)