Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim 39 persona, mes të cilëve edhe një shtetas izraelit, të cilët akuzohen për mashtrim me anë të call center-ave. Si organizator i kësaj veprimtarie akuzohet izraeliti Rafael Genish, i cili dyshohet se ka arritur që të mashtrojë mbi 2 milionë qytetarë të huaj në të gjithë botën. Hetimet për këtë grup nisën 3 vite më parë.
38 shqiptarët akuzohen për mashtrim kompjuterik, ndërsa izraeliti Genish, përveç kësaj vepre penale, akuzohet edhe për pastrim parash. Fillimisht, aktiviteti i call center-ave u zbulua nga autoritetet gjermane, të cilat vendosën në lëvizje drejtësinë shqiptare pasi shumë qytetarë gjermanë kishin rënë pre e mashtrimit. Të dyshuarit krijonin marrëdhënie besimi me klientët dhe më pas i bindnin ata që të kalonin shuma të caktuara parash në llogari të kompanisë me qëllim që të përfitonin më shumë, por nuk merrnin asgjë mbrapsht. Shumat e parave varionin nga 500 euro e deri në shifra të mëdha.
Dëmi i shkaktuar nga grupi, që telefononte nga Tirana qytetarë të BE-së, kapi vlerën e 2 milionë eurove. Pastrimi i parave bëhej përmes transfertave me fatura fiktive në banka të shteteve si Lituania, India, Singapori, Hungaria, Estonia apo Malta, vende që janë me risk për aktivitetin e pastrimit të parave përmes sistemit bankar të tyre.
Të akuzuarit u arrestuan në dhjetor të vitit 2021 gjatë një operacioni të përbashkët mes policisë dhe prokurorisë së Tiranës. Izraeliti në atë kohë mohoi akuzat duke pretenduar se biznesi i tij ishte i ligjshëm, por letërporositë e autoriteteve gjermane zbuluan aktivitetin e mashtrimit përmes Forex. Tre vite më parë, Genishit iu sekuestrua kompania që kishte themeluar, ambienti ku kryhej mashtrimi dhe qindra pajisje. (A2 Televizion)