Në një dalje publike, avokatët shqiptarë të rusit Igor Kokunov, që kërkohet nga drejtësia e vendit të tij pas akuzave për lidhje me grupe mafioze, kërkuan mosekstradimin e tij në Rusi. Mbrojtësit Ardian Visha e Isuf Shehu, thanë se i janë drejtuar me një memo ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të mos miratojë ekstradimin, për të cilin në Shqipëri dha dritë jeshile së fundmi edhe Gjykata e Lartë, shkruan A2 CNN.
Kërkesa e avokatëve të 60-vjeçarit rus bazohet në faktin se Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Europës. “Përjashtimi nga Këshilli përbën inefektive çdo konventë ku Federata Ruse është palë, përfshi edhe Konventën e KE për ekstradimet”, tha Shehu. “Ky fakt i certifikuar nga GjEDNJ, i pranuar edhe nga qëndrimi i mëparshëm politik i vendit tonë, do të duhet të ketë të njëjtën zgjidhe dhedo të duhej ta kishte edhe nga gjykata më e lartë e vendit”, tha Visha, shkruan A2 CNN.
Po sipas mbrojtësve, kërkesa për ekstradim nuk është firmosur nga ministri i drejtësisë së Federatës Ruse, por nga zëvendësi i një personi që për Republikën e Shqipërisë është “non grata”. Kokunov, që mbahet prej 1 viti në paraburgim në Shqipëri akuzohet në Rusi për veprën penale të “zënies së pozitës së lartë në hierarkinë kriminale”. Në vendim e tij ai rezulton të jetë i dënuar me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të disa pasurive. (A2 Televizion)