Policia në Tiranë ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili shiste doza kokaine dhe posedonte armë dhe fishekë, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Uniformat Blu kanë sekuestruar 103 gramë kokainë, 1 armë të ftohtë, 1 bllokues valësh, 1 radio policie, municion luftarak e shuma parash në lekë dhe euro.
“Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në rrugë, shtetasin E. S., 41 vjeç, banues në Tiranë i cili kishte dalë nga banesa në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, që i kishte caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 41-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 103 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që e posedonte me qëllim shitjen në doza; 23.000 lekë dhe 940 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike; 1 armë të ftohtë, 1 bllokues valësh, 1 radio policie, municion luftarak dhe sende të tjera të kundërligjshme”, njofton policia. (A2 Televizion)