14-vjeçari i akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij Martin Cani 18 nëntorin e vitit të shkuar pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, do të përballet me prokurorinë në sallën e gjyqit.
Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për kalimin në gjykim të çështjes. I mituri me iniciale M. P. do të gjykohet për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, ndaj një të mituri ose kundër dy ose më shumë personave.
Në seancën paraprake të së enjtes, si palë e dëmtuar në sallën e gjyqit ishin edhe prindërit e Martin Canit, si edhe shoku i tij, që u plagos rëndë në ngjarje. Në të njëtën seancës, gjyqtarja Migena Laska, vendosi të refuzojë kërkesën e 14-vjeçarit për gjykim të shkurtuar, gjykim që në rast fajësie i ul një të tretën e dënimit.
Burime brenda seancës me dyer të mbyllura se procesi i zakonshëm, ku provat shqyrtohen njëra pas tjetrës në sallën e gjyqit, u kërkua edhe nga një psikologe. Jashtë sallës së gjyqit, shoku i Martin Canit, me iniciale L. M. i njëjti që u plagos rëndë, tha se kërkonte drejtësi dhe se do të ishte i gatshëm të dëshmonte në proces.
Në përfundim të hetimit për ngjarjen e përgjakshme të 18 nëntorit, Prokuroria e Tiranës tha se i pandehuri e ka qëlluar me dashje me thikë në kraharor Martin Canin, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Konflikti mes tyre, ishte paraprirë nga dy konflikte të mëhershme, njëri tre ditë para ngjarjes në trotuarin para shkollës dhe një tjetër ditën e ngjarjes në tualetet e shkollës “Fan Noli”. Sipas prokurorisë, më të njëjtën thikë që ka qëlluar Canin, 14 vjeçari i akuzuar, ka qëlluar edhe shokun e tij L. M., të cilit i ka shkaktuar plagë të rënda.
Referuar mjetit të përdorur dhe shpeshtësisë së goditjeve, aty për aty, i pandehuri ka kryer veprime për të vrarë edhe shokun e Marios, por ky i fundit është kundërpërgjigjur me grushte dhe larguar me vrap, duke e lënë veprën në tentativë, përfundonte prokuroria. Prokuroria e Tiranës ka veçuar një hetim për stafin e shkollës, pas dyshimeve se prej tyre janë konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. (A2 Televizion)