Me pistoletë me silenciator në makinë, arrestohen 2 të rinj në Tiranë. Zbulohet identiteti i tyre

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2025, 10:27 | Kronikë

Me pistoletë me silenciator në makinë, arrestohen 2 të rinj

Ditën e sotme 2 shtetas kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi njëri prej tyre qarkullonte me armë zjarri në makinë, ndërkohë që tjetri akuzohet për ‘moskallëzim krimi’.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se i arrestuar është një 25-vjeçari Sandriano Kastrati, që posedonte armën e zjarrit tip pistoletë me silenciator dhe 21-vjeçari Olsjan Musollari, që dyshohet se ishte në dijeni për armën dhe nuk kallëzoi.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me silenciator, municion luftarak, automjeti dhe 3 celularë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 7, operacioni policor i koduar “Ëeekend”.   

Lëvizte me armë zjarri pistoletë me silenciator, në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 25-vjeçari, me precedent penal për armëmbajtje pa leje.

Vihet në pranga dhe pasagjeri në automjet, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me silenciator, municion luftarak, automjeti dhe 3 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për dy shtetas që qarkullonin me armë zjarri në automjet, në zonën e Vorës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ëeekend”.

Gjatë operacionit, në Laknas, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. K. dhe pasagjer shtetasin O. M. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me 1 krehër me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. K., 25 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak", i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale;

O. M., 21 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos