“Çmontohen” 253 lokale ku organizoheshin lojëra fati, 116 të arrestuar dhe mijëra euro e paund të sekuestruara

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2023, 11:49 | Kronikë

“Çmontohen” 253 lokale ku organizoheshin lojëra fati,

Drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat ka zbuluar detaje nga operacioni “Sundimi i ligjit”, kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Operacioni u shtri në dy faza dhe u zhvillua nga data 25 nëntor deri në datë 30 nëntor, e nga 1 dhjetori deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor. Gjatë tij, u kontrolluan 1895 shtetas dhe 1078 lokale, ku 253 prej tyre u konstatuan se kanë shërbyer si baza ku janë organizuar lojëra fati.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojën Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njësi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet”, thuhet në njoftim.

Në bashkëpunim me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale, dhe të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos