“Na sill 2 milionë lekë ose të vrasim burrin”, 5 të arrestuar për pengmarrje

Nga Xhensila Kodra
30 Prill 2025, 19:20 | Kronikë

“Na sill 2 milionë lekë ose në të kundërt e vrasim”. Me këto fjalë 5 të rinj në Tiranë kërcënuan bashkëshorten e një 68-vjeçari, të cilin e kishin marrë atë peng. Ngjarja ndodhi mesditën e së martës në rrugën “George W. Bush”, ku Sulejman Sina, Klinton Sina dhe Idajet Mashollari morën me forcë Edvar Agalliun dhe e futën në një automjet për ta mbajtur peng për disa orë në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë, në Baldushk.

Pasi i kërkuan shumën e lekëve bashkëshortes së 68-vjeçarit, paratë janë dorëzuar në zonën e Saukut tek Bajram Ibraliu, shkruan A2.

Katër të rinjtë bashkë me 32-vjeçaren Nikoleta Begovi u arrestuan nga forcat e rendit. Nga hetimet ka rezultuar se Edvar Agalliu ka pasur një lidhje intime me Nikoleta Begovin, e cila për këtë lidhje ka vënë në dijeni edhe bashkëjetuesin e saj, Sulejman Sinën. Më pas ky i fundit së bashku me vëllain dhe mikun e tij e kanë marrë atë forcërisht në automjetin e tyre nga vendi ku Agalliu dhe vajza 32-vjeçare kishin lënë vend takimi.

Hetuesit dyshojnë se pengmarrja e 68-vjeçarit ishte organizuar nga vajza dhe tre djemtë me qëllim që të përfitonin shumën e lekëve nga familjarët e 68-vjeçarit. Edhe pas arrestimit, të rinjtë kanë pohuar në polici se Agalliu kishte ngacmuar bashkëjetuesen e njërit prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos