Prokurorët e Posaçëm depozituan prova të reja në Apelin e Posaçëm në procesin ndaj Festim Bexhdilit, ish-kopshtarit të kompleksit në Shijak, nga ku u zhduk pa gjurmë Jan Prenga, pasi u rrëmbye në Kamëz janarin e vitit 2020.
Bexhdili po rigjyohet në Apel, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë, që prishi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë më herët ndaj tij. Materiali i depozituar në proces nga prokurorët e posaçëm ishin transkriptet e bisedave në platformën SKY ECC mes Dritan Rexhepajt, Altin Hajrit e Gentian Funiqit, të tre të pandehur në procese të veçuara për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Komunikimet në fjalë SPAK i siguroi përmes letërporosive nga autoritetet partnere gjatë muajit prill. Pas administrimit të materialeve, seanca u shty për më 13 maj, me kërkesë të avokatit të Bexhdilit për t’u njohur me provat e reja. Teksa rigjykohet në Apel, Festim Bexhdili ka dëshmuar si i bashkëpandehur në proceset ndaj Altin Hajrit në Gjykatën e Posaçme dhe atë ndaj Dritan Rexhepit dhe pesë të tjerëve. Në rrëfimet para gjykatës, Bexhdili ka pranuar se ka zhvendosur nga një mjet në tjetrin trupin e pajetë të një personi në garazhin e kompleksit, trup që është sjellë me një mjet “Range Rover” nga katër persona të panjohur prej tij. Para gjykatës Bexhdili pretendoi se i ishte bindur këtyre personave, jo vetëm për të zhvendosur trupin e pajetë, por edhe për t’u gjetur një kazmë e një lopatë, për shkak se ishin të armatosur.
Gjatë gjykimit të Bexhdilit në Shkallën e Parë, SPAK pretendoi se ai ka dijeni se si është zhdukur trupi i Prengës, por nuk e ka treguar atë. Sipas SPAK, Prenga u rrëmbye me porosi të Dritan Rexhepit e Gentian Funiqit, për të detyruar vëllanë e tij të kthente një sasi droge të vjedhur në Portsmouth, në Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)