Vrasja e 58-vjecarit Renato Hoxhaj në Vlorë duket se tashmë është në rrugën e zbardhjes së plotë. Policia e Vlorës ka vënë në pranga një nga bashkëpunëtorët e dyshuar, ndërsa burimet shprehen se është identifikuar edhe autori i vrasjes që dyshohet se mund të jetë larguar drejt Greqisë. Policia publikon pamjet e autorit ne zonen e vrasjes.
Policia e Vlorës duket se ka rënë në gjurmët e autorit të vrasjes se 58-vjecarit Renato Hoxhaj disa ditë më parë në qytetin bregdetar. Si rrjedhojë e hetimeve të kryera, policia ka ndaluar një person që dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë vrasje.
Bëhet fjalë për shtetasin Erlis Mehmeti, i cili sipas burimeve policore dyshohet se ka vënë në dispozicion të vrasësve, automjetin e tij. Në përpjekje për të humbur gjurmët, automjetit të Mehmetit i ishin vendosur një palë targa të tjera të vjedhura. Në momentin e ndalimit, policia i ka sekuestruar Mehmetit edhe aparatin celular ky dyshohet se mund të ketë biseda me autorët e dyshuar.
Sakaq, burimet policore bëjnë me dije se kanë edhe një person të dyshuar si autor i vrasjes së Renato Hoxhajt, por që dyshohet se pas krimit të jetë larguar drejt Greqisë. Ndonëse ende nuk ka një pistë zyrtare të deklaruar, burimet pranë grupit të hetimit shprehen se motivet e ekzekutimit të 58- vjeçarit kanë të bëjnë me ngjarje të mëparshme kriminale në qytetin e Vlorës, ku i ndjeri dyshohet që mund të ketë luajtur rolin e informatorit mes grupeve rivale kriminale.
Dhe për këtë arsye dyshimet janë që vrasja e tij mund të jetë porositur nga jashtë vendit. Gjithsesi arrestimi i një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar pritet që të përforcojnë më shumë pistat e ngritura të cilat duket se po çojnë në zbardhjen e kësaj vrasjeje, e cila në momente e para dukej sikur ishte kryer pa lënë gjurmë. (A2 Televizion)