Një 55-vjeçar serb i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane u ndalua nga policia në doganën e Morinës, teksa hynte në Shqipëri.
Ndaj 55-vjeçarit me iniciale G.S. Gjykata e Mainz në Gjermani ka vendosur masë sigurie “arrest në burg” me akuzat e evazionit fiskal dhe përfitim të kundërligjshëm të pagave/shpërblimeve të të tjerëve.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 55-vjeçarit.
Njoftimi i PKK Morinë
Tentoi të hynte në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet gjermane, për krime ekonomike, ndalohet 55-vjeçari serb.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht, për t'iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, ndaluan në hyrje, shtetasin serb G. S., 55 vjeç.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët gjermanë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata e Mainz, për evazion fiskal dhe përfitim të kundërligjshëm të pagave/shpërblimeve të të tjerëve.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 55-vjeçarit. (A2 Televizion)