Prokuroria e Fierit përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin N.Q., për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, shtetasin Gj.M, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe shtetasin E. S, për kryerjen e veprës penale “Ekspertimi i rremë”.
Kjo sepse, sipas prokurorisë, ndërtimi i realizuar nga investitori/subjekti ndërtues, në lagjen “Kongresi”, Bashkia Lushnje, u krye në shkelje të rëndë të kushteve të lejes së ndërtimit. Prokuroria dokumentoi se shtetasi N.Q, pasi ishte pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje, gjatë zbatimit të projektit, ka realizuar punime tej lejes së marë.
Në total, sipërfaqja e ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit rezultoi 276.6 m², ose 77% e ndërtimit.
Nga ana e IMT-së, Bashkia Lushnje, personave përgjegjës të ngarkuar me ushtrimin e detyrave funksionale që lidhen me kontrollin e territorit dhe monitorimin në vijimësi të zbatimit të lejeve ndërtimore, u konstatua se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Fakti penal i konstatuar ju atribua nga prokuroria shtetasit M.Gj., me detyrë Kryeinspektor pranë IMT-së Bashkia Lushnje, në kohën e kryerjes së veprës.
Po kështu edhe shtetasi E.S, me cilësinë e ekspertit me kryerjen e aktit të ekspertimit, ka paraqitur të dhëna të rreme që lidhen me sipërfaqen reale të ndërtimit të realizuar. Nga hetimet rezultoi se sipërfaqja e ndërtuar nga i pandehuri ishte disa herë më e madhe se ajo e pasqyruar nga eksperti.
(A2 Televizion)