Vjedhja e një automjeti në Elbasan i ngjan një skenari filmash, ku policia e këtij qyteti por edhe ajo e Tiranës u ngritën në këmbë pak pas mesnate për të arrestuar autorët, njëri prej të cilëve rezultoi të ishte një ish koleg i tyre. Dy personat pasi vodhwn mjetin tip Nissan u larguan në drejtim të Tiranës. Policitë e të dyja qyteteve u vunë në ndjekje të autorëve.
Në ndjekje e sipër, autorët me mjetin e vjedhur përplasën në Babrru makinën e policisë që ishte vënë në ndjekje të tyre. Dy efektivët u dëmtuan lehtë, ndërsa të kërkuarit arritën të largoheshin. Pas gati dy orësh ndjekje, ata u arrestuan në zonën e Kamëz, pasi me mjetin që vodhën në Elbasan u përplasën me një mur dhe me një shtyllë ndriçimi.
Në pranga përfunduan ish punonjësi i policisë Eneriko Zyle 50 vjeç, i shpallur në kërkim për disa vjedhje, si dhe bashkëpunëtori i tij, Enis Tela 37 vjeç. Ata akuzohen për disa vepra penale, si vjedhje, mosbindje të urdhrit të policisë dhe kundërshtim të tyre, shkatërrim i pronës, prodhim dhe shitje narkotikësh, prishje e rendit dhe qetësisë publike, si dhe prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta. Gjatë kontrollit, brenda mjetit të vjedhur u gjet një sasi kokaine, si dhe një thikë. Dy të arrestuarit akuzohen edhe për vjedhje të tjera të ndodhura në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe në Klos. (A2 Televizion)