Ky është momenti i arrestimit të ë shumëkërkuarit për dosjen “AKSHI”, Ergys Agasi. Pasi ishte mbajtur në vëzhgim dhe ndjekje për më shumë se dy orë që nga Elbasani, biznesmeni 39-vjeçari i shpallur në kërkim nga SPAK prej dhjetorit të vitit të shkuar për akuzat e “heqjes së paligjshme të lirisë”, “konkurrencë e paligjshme përmes dhunës”, vepra penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal... është prangosur në zonën e Plepave në Durrës.
Agasi i veshur sportiv, udhëtonte me një automjet tip “Audi” që drejtohej nga Uljan Shpataraku, ish-polici i përjashtuar nga radhët e “uniformave Blu” me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Skënder Hita, shkruan A2 CNN. Shpataraku ishte gjithashtu në kërkim që nga 6 gushti pasi kërcënoi me jetë stafin e hotelit në Dhërmi ku qëndronte për pushime.
Pas arrestimit, Agasi, personazhi kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe zyrtarët e lartë shtetërorë dhe Shpataraku i cilësuar si “njeri i afërt” i ish-kryepolicit Ilir Proda u dërguan në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Pasi qëndruar për rreth një orë, dy të prangosurit në kuadër të operacionit të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, “The Wanted”, u dërguan në dhomat e izolimit në Bllokun e Sigurisë në rrugën "Mine Peza" në Tiranë.
Prangosja e Ergys Agasit vjen një muaj pas arrestimit të biznesmenit Ermal Beqiraj i cili u arrestua në Francë më 24 korrik, ndërsa po fluturonte me një avion të lehtë në një hapësirë ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t.
Biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj akuzohen se, së bashku me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe persona të tjerë, krijuan një skemë zhvatjeje të parave publike përmes dyfishimit të vlerës së tenderëve, paracaktimit të fituesve dhe devijimit të miliona eurove në llogaritë e një kompanie fiktive, ndërkohë që për “eliminimin” e rivalëve u përdorën anëtarë të krimit të organizuar. Po ashtu, akuzohen edhe për pastrim parash. (A2 Televizion)