Ergys Agasi, i shumëkërkuari nga SPAK për dosjen e AKSHI-t është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas arrestimit në zonën e Plepave në Durrës, raporton A2 CNN. I rrethuar nga forca të shumta policie ai shihet të futet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Mësohet se pas procedurave, ai do të dërgohet në dhomat e izolimit të Bllokut të Sigurisë.
Policia e Shtetit ka publikuar videon e momentit të arrestimit të tij, rrethuar nga forca të shumta policie. Burime bëjnë të ditur për A2 CNN se Agasi ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje për më shumë se dy orë sot, ndërsa forcat e policisë kishin planifikuar ndërhyrjen në momentin e përshtatshëm. Prej më shumë se një muaji, strukturat e policisë dhe SPAK kanë qenë në gjurmët e Ergys Agasit, duke e mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje të gjitha lidhjet e tij deri në momentin kur është shfaqur sot dhe kanë realizuar arrestimin.
A2 CNN mëson se Agasi është pikasur fillimisht nga efektivët e Forcës Operacionale në Elbasan dhe më pas ndjekja ka vijuar nga Peqini, Rrogozhina dhe në Durrës, ku edhe është arrestuar në zonën e Plepave.
Për dosjen e AKSHI-t janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj si dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i arrestuar një muaj më parë në Francë.
Ndaj të hetuarve janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme të lirisë, shkelje e barazisë në tendera, si dhe pastrimin e parave. (A2 Televizion)