Në kushte depresioni, në 7 vite 4 gardistë të vetëvrarë

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 11:53 | Kronikë

Në kushte depresioni, në 7 vite 4 gardistë të

Vetëvrasja e punonjësit të Gardës së Republikës Gentian Lelçaj me armën e shërbimit, nuk është i vetmi që ka ndërmarrë këtë akt të rëndë ndër vite.

Sipas të dhënave, që prej vitit 2018 e deri më tani, 3 punonjës të tjerë të Gardës i kanë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike. Në 30 qershor të 2018-ës, gardisti 31-vjeçar Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë me një plumb në kokë në makinën e tij në garazhin e Gardës së Republikës. Ai ishte një nga dy shoferët e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Kjo ngjarje në atë kohë, u mbulua me shumë mister, pasi u dyshua edhe për vrasje.

Katër muaj pas kësaj ngjarje, mbrëmjen e 1 tetorit të po atij viti, gardisti 30-vjeçar Arjol Mançe nga Përmeti vrau veten po me armën e shërbimit, në ambientet e Gardës së Republikës. Në atë kohë, burimet sqaruan se shkaqet e ngjarjes nuk lidheshin me punën, por me ndarjen nga e dashura. Këtë arsye 30-vjeçari nga Përmeti ia kishte rrëfyer në një mesazh edhe të atit.

Ndërsa më 15 tetor të 2024-ës, gardisti 37-vjeçar Henri Haxhiraj ndërroi jetë në Spitalin e Traumë, pasi qëlloi veten me plumb në kokë teksa ndodhej në banesën e tij. Ai ishte vëllai i këngëtares së njohur Sheila Haxhiraj dhe sipas familjarëve që dhanë deklarimet në polici, pohuan se 37-vjeçari prej kohësh vuante nga depresioni.

Në muajin shkurt të vitit 2019-të, gardisti Alket Arapaj vrau me armën e shërbimit bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Ervilma Seferi. Për këtë krim 44-vjeçari u dënua me 35 vite burg nga Gjykata e Tiranës, teksa ai deklaronte se si motiv kishte xhelozinë me dyshimet se bashkëshortja e tradhtonte. Por, në atë kohë pas arrestimit, në gjendje të rënduar psikologjike, Arapaj kishte tentuar të kryente vetëvrasje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ndërsa në maj të vitit të kaluar, një efektiv 28-vjeçar i Gardës së Republikës u vetëplagos në mjediset e KQZ-së, me armën e shërbimit aksidentalisht teksa po pastronte armën. I riu ishte shoqëruesi i Ilirjan Celibashit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos