Dy vëllezër nga fshati Ngjeqar i Fierit janë arrestuar pasi prodhonin dhe shisnin kanabis, raporton A2 CNN. Pamjet me dron tregojnë momentin e arrestimit të njërit prej tyre, i cili sapo ka kuptuar që do të arrestohej, ikën me vrap nëpër arë, por pa shkuar shumë larg.
“Gjatë operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier kapën dhe vunë në pranga shtetasit K. Sh., 47 vjeç dhe E. Sh., 26 vjeç, banues në fshatin Ngjeqar. Shtetasi E. Sh., sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur menjëherë nga ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Sh. iu gjetën doza kanabisi, të cilat i shiste në fshatin ku banonte”, tha policia.
Nga kontrollet e kryera në banesën e këtyre shtetasve, në fshatin Ngjeqar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri automatikë, 3 krehra, 1 thikë, doza kanabisi, 200 fara kanabisi dhe 179 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)