Gjyqi ndaj Bardh Spahisë në GJKKO, dëshmon Mark Molla: Ja si më largoi nga detyra dhe më rrethuan zyrën

Nga A2 CNN
5 Qershor 2025, 09:57 | Kronikë

Gjyqi ndaj Bardh Spahisë në GJKKO, dëshmon Mark Molla: Ja si

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia, i akuzuar për pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Dëshmitari i parë në këtë çështje ishte Mark Molla, ish-administrator i Ujësjellës Kanalizime Shkodër, i cili ka bërë kallëzimin penal ndaj Spahisë. Në dëshminë e tij, të siguruar nga A2 CNN, Molla deklaroi se në maj 2022 ka marrë një urdhër largimi me postë nga detyra e administratorit të ujësjellësit në Shkodër, i cili sipas tij nuk është njohur nga gjykata.

“Në 2022 kam qenë administrator i Ujësjellësit Shkodër. Si administrator kam bërë detyrën mirë. Nga ministrat Gjiknuri dhe Balluku ujësjellësi Shkodër është vlerësuar si nga më të mirët. Unë bëra një kallëzim penal, pasi ish-kryetarja, për shkak të performancës, me dha një mandat 3-vjeçar. Unë nuk jam parë sot e kësaj dite nga ish-kryetari i bashkisë. Jam njohur si njeri pa vlerë vetëm nga shkresat zyrtare. Unë nuk jam lënë të hyj në institucion. Unë kam pritur vendimet e gjykatës. Nuk është shkelur vetëm një, por tre vendime. Nëse bëhet një mbledhje asambleje për largimin e administratorit, administratori merr pjesë. Unë nuk jam thirrur asnjëherë. Në maj 2022 jam njohur me një urdhër largimi, që ka ardhur me poste. Unë i jam drejtuar gjykatës. Gjykata nuk e ka njohur si vendim. Spahia ka bërë një tjetër urdhër largimi. Edhe atë e godita në gjykatë, e cila po ashtu nuk e njohu vendimin e kryebashkiakut”, u shpreh ai.

Pas një urdhri tjetër largimi të nxjerrë nga Spahia, Molla ka kundërshtuar sërish vendimin në gjykatë, ku edhe ky urdhër është rrëzuar. Ai thotë se ndërsa ishte larguar për punë në Postribë, zyra e tij në Ujësjellës u rrethua nga policia dhe policia bashkiake dhe zyra e tij u thye.

“Për vendimet e gjykatës, e kam fjalën për sigurimin e padisë. Ndërkohë pas vendimit të tretë të largimit erdhi një person nga Bashkia dhe më kërkoi të liroj zyrën. I thashë, që ta liroj, vetëm nëse më thotë gjykata. Unë atë ditë shkova në Postribë, për çështje pune. Ndërkohë në godinën e Ujësjellësit u rrethua nga policia dhe policia bashkiake. Nga 320 punonjës, Spahia nxori një urdhër që lejonte të futeshin në institucion vetëm 62 vetë. Unë nuk kam bërë asnjë dorëzim. Zyra është thyer në formë absurde nga një komision. Në datë 9 është bërë thyerja, ndërsa komisioni që bëri thyerjen është miratuar në datë 10”.

Mark Molla sqaroi se për dy nga urdhrat e largimit ishte lajmëruar me postë, ndërsa të tretin e ka marrë nga drejtuesja e Asamblesë.

SPAK kërkon që Bardh Spahia të gjykohet për pengimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe veprime që kanë cenuar funksionimin e administratës publike në Shkodër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos