Në dosjen “Plumbi i artë” vijon sot dëshmia e të penduarit Erion Alibej. Gjatë dëshmisë, Alibej tregoi përpjëkjet për të zbuluar vrasësit e vëllait, Endritit. "Vendosa të mos rrija më në Roterdam. U ktheva në Shqipëri. U futa klandestin nga Qafë-Bota, pasi isha në kërkim. Kam telefonuar Genc Tafilin. E ftova në apartamentin tim. Erdhi bashkë me Dorian Dulin. Kur erdhën, dorëzuan çantat, pasi rrinin të armatosur. Tafili më tregoi se Dorian Dulit i kishin ardhur për takim Talo me dy mirditorë. Ikëm nga shtëpia. E ngacmova Genc Tafilin të vinte prapë në takim, por nuk më erdhi. Atë ditë i shkrova Suel Çelës, pasi kur përmendej Kamer Mehja, ai ishte i afërt me të.
I kërkova Suelit takim me Kamer Mehjen. Sueli më tha: "Kameri nuk vjen, pasi afër janë katundarët" – i referohej Çapjave. Por tha: "Pse nuk vjen ta bëjmë takimin te tregu?" Tani, t’i thosha “jo”, i binte sikur tregoja frikë, por nga ana tjetër, i shkova njëherë te shtëpia në Roterdam. Shkova te tregu bashkë me Andi Zylyfin, kushëririn. Ishte errësirë kur shkova. Në një lokal në treg gjeta Kamer Mehjen dhe Mario Çelën. I thashë Kamerit: "Ka qenë e nevojshme të hidhje fishekzjarrë ditën që u vranë familjarët e mi?".
Ai më tha që vëllain tim, Indritin, nuk e njihte fare. U sqaruam, u shpjeguam, edhe pse nuk më ngrohte shumë, pasi informacionin ma sollën intrigantët Genc Tafili e Dorian Duli”, tha Alibej.
Më pas ai zbulon si identifikoi Mikael Qosen, Talo Çelën dhe Altin Ndocin. “Një djalë që rrinte te burgu i Peqinit, Ervis Nano (e njihja si Ermali), shkon në Fushë-Krujë. Atje takon Flobenc Meçen (unë e njihja si Çol shkodrani). Çoli i thotë: “Kam qenë me Altin Ndocin në burg”. Më kërkoi takim me vëllain e Dorian Dulit. Nuk e di çfarë kanë diskutuar, por pas takimit ishin të lumtur. Aty mëson që në takim kanë qenë Talo Çela, Mikael Kamami dhe Altin Ndoci. Në takim është kërkuar: "Sa lekë do? Vendose vetë shifrën, sa do që të vrasësh Erionin”. Disa herë Duli më ftonte të dilja nga shtëpia, të qetësohesha. Aty unë kuptova se ata më ftonin për të më nxjerrë në pritë.
Informatorin tim më të besuar kam pasur Ardian Çollakun, tani është i ndjerë. Ai ishte pranë kundërshtarëve të mi. Ishte aty kur bëheshin bisedat, kur ndaheshin lekët. Në një moment, Ardian Çollaku pyet Mikael Qosen: “Pse nisët këtë luftë?” Ai i ka thënë: “Ka qenë shumë i tmerrshëm Indriti.”
Mirë, i thotë, por do më lidhësh me Hajdar Çopjen. Unë Çollakun e kam pajisur me EnchroChat dhe e kam mbajtur me lekë pasi doli nga burgu”.
Erion Alibej është një nga bashkëpunëtorët kryesorë të drejtësisë në Shqipëri, i përfshirë në dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, që ka zbuluar rrjete të gjera të krimit të organizuar në vend. Ai ka dhënë dëshmi të zgjeruara në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke ndihmuar në zbardhjen e disa vrasjeve dhe aktiviteteve kriminale të ndodhura në Elbasan dhe më gjerë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Alibej akuzohet për përfshirje në disa vrasje mafioze, përfshirë eliminimin e Dorian Shkozës, Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, si dhe të Emiliano Ramazanit dhe Rigers Runajt. Ai ka pranuar se ka porositur vrasjen e Talo Çelës për 100 mijë euro dhe ka ofruar 200 mijë euro për ta sjellë atë të gjallë.
Në dëshmitë e tij, Alibej ka deklaruar se kishte akses në sistemin TIMS përmes një oficeri policie, të cilit i kishte dhënë një telefon të koduar me platformën SKY ECC.
Alibej ka rrëfyer për herë të parë në gjyq më 29 maj 2025, duke zbuluar detaje të rëndësishme për konfliktet me grupet kriminale në Elbasan dhe për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në mars 2019. Ai ka ndihmuar në identifikimin e personave të përfshirë në këto ngjarje dhe ka ndarë informacione për mënyrën se si funksiononin këto grupe. (A2 Televizion)