Mbërrin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër 48-vjeçari Kamber Sulçe. Ai akuzohet për vrasjen e biznesmenit italian Eduardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës më 27 shtator.
Gjykata është rrethuar nën masa te forta sigurie me prezencën e forcave të shumta të policisë.
Kamber Sulçe u vetëdorëzua në komisariatin e policisë së Tepelenës dy ditë më parë, i shoqëruar nga avokati i tij, dhe më pas u dërgua në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Sulçe, banues në Mesaplik të Vlorës, ishte shpallur në kërkim që prej 29 shtatorit si autor i ngjarjes së ndodhur pas mesnatës së 26 shtatorit, në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti nisi pas një debati mes Kamber Sulçes dhe Gazment Braçit për dritat e gjata të automjeteve. Pas prishjes së makinës, Gazment Braçi thirri në ndihmë të atin, i cili mbërriti në vendngjarje bashkë me biznesmenin italian. Gjatë përplasjes, Sulçe qëlloi disa herë me një armë gjahu, duke plagosur në femur Edoardo Sarchin, i cili humbi jetën nga hemorragjia e shkaktuar.
Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit, policia gjeti edhe armë të tjera pa leje. Ai rezulton person me precedentë penal dhe banon rreth 68 kilometra larg vendit të ngjarjes, pranë zonës ku kishte stanin. Ndërkohë, viktima, biznesmeni italian Edoardo Sarchi, jetonte prej më shumë se 25 vitesh në Shqipëri dhe drejtonte një firmë të prodhimit të tjegullave dhe tullave në Tiranë. Natën e ngjarjes, ai ndodhej në Salari të Tepelenës në banesën e familjes Braçi, miq të tij të afërt.
(A2 Televizion)