
Një 26-vjeçar në Mamurras është arrestuar për shpërndarje droge.
Denis Shytajt iu gjetën 194 doza kanabisi, nga të cilat 144 në trajtë "gelato" me përqindje të lartë THC, kokainë si dhe 2 peshore elektronike, shkruan A2.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, operacioni antidrogë i koduar “Target 4”.
Sekuestrohen 338 doza të lëndës narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e tyre në trajtë gelato (me përqindje të lartë THC-je), sasi e kësaj lënde narkotike, sasi e lëndës narkotike Kokainë, 2 peshore elektronike, 2 celularë dhe 1 automjet.
Vihet në pranga 26-vjeçari që shiste lëndët narkotike në Mamurras.
Lëndët u gjetën të fshehura në hyrje të qytetit.
Specialistët e seksioneve për Hetimin e Narkotikëve dhe për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan operacionin antidrogë, të koduar “Target 4”, gjatë të cilit, pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, u dokumentua veprimtaria kriminale e një shtetasi, në fushat e prodhimit dhe shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike.
Konkretisht, u arrestua shtetasi D. Sh., 26 vjeç, banues në Mamurras.
Nga hetimi dhe ndjekja intensive e këtij rasti, në hyrje të qytetit, në një objekt të improvizuar, u gjetën të fshehura nga 26-vjeçari, dyshohet me qëllim shitjen në Mamurras, 194 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 144 doza të kësaj lënde në trajtë gelato me përqindje të lartë THC-je, sasi e së njëjtës lëndë, sasi e lëndës narkotike Kokainë dhe 2 peshore elektronike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)