Nëntori, muaji i zi i atentateve, 4 viktima dhe 4 ngjarje mafioze, hetimet ngecin

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 18:41 | Kronikë

Nëntori, muaji i zi i atentateve, 4 viktima dhe 4 ngjarje mafioze, hetimet

Nëntori, që zakonisht shënon një muaj festash dhe data historike për vendin, këtë vit u kthye në një periudhë të zezë krimi. Katër atentate të njëpasnjëshme nga jugu në veri goditën Shqipërinë, duke lënë katër viktima.

Vrasjet nisën që në mbrëmjen e 1 nëntorit, në fshatin Gjormë të Selenicës, ku 36-vjeçari Dalan Alliaj u vra në derën e banesës së tij me gjashtë plumba. Sipas hetuesve, ai ishte thirrur nga kushëriri i tij, Bertil Alliaj, një i arratisur prej vitesh dhe i dënuar në mungesë për masakrën e Çoles. Takimi që, sipas familjes, duhej të sqaronte një bisedë, përfundoi në ekzekutim. Autori u arrestua pas disa orësh, por motivi zyrtar ende nuk është zbardhur, ndërsa dyshimet lidhen me konflikte të brendshme familjare.

Vetëm dhjetë ditë më pas, në 11 nëntor, vendi u trondit nga atentati i rëndë pranë aeroportit të Rinasit. Gilmando Dani, miku i ngushtë i Emiljano Shullazit, u qëllua me breshëri automatiku ndërsa udhëtonte me oficerin e AMP-së, Mustafa Sheqeri, i cili u nda nga jeta pas katër ditësh në spital. Autorët dogjën makinën pak minuta pas ngjarjes. Edhe pse kanë kaluar javë, ende nuk ka persona të ndaluar për krimin.

Më 25 nëntor, Lushnja u përfshi në një episod kriminal. Makina e Julian Sulës, i njohur si "Juli i Pashakos", u qëllua me breshëri kallashnikovi. Ai shpëtoi pa lëndime, ndërsa autorët braktisën dhe dogjën mjetin e përdorur. Policia shoqëroi dhjetëra persona në kuadër të konflikteve të tij të hershme me grupet rivale, por pista e saktë e atentatit mbetet e paqartë dhe asnjë autor nuk është identifikuar dhe arrestuar.

Seria e ngjarjeve të rënda u mbyll më 30 nëntor në Elbasan. Biznesmeni Edmond Hyka, i njohur si Mondi Mëhalla, u ekzekutua brenda “Range Rover”-it të tij pranë karburantit “Xhaxhi Oil”. Autorët duket se e kishin ndjekur lëvizjen e tij dhe u larguan me një “Audi” të zi, i cili një ditë më vonë u gjet i djegur në zonën e Mirakës. Hetimet po fokusohen në konfliktet e mundshme që mund të kenë çuar në këtë atentat. Policia ka arrestuar disa persona të dyshuar lidhur me ngjarjen.

Me katër vrasje dhe 4 viktima, dy prej të cilëve ende pa autorë të identifikuar, nëntori i këtij viti shënohet si një nga muajt më të rëndë të kriminalitetit në vend, duke rritur ndjeshëm pasigurinë tek qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos