Pas kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj edhe ish-Presidenti Ilir Meta kërkon të mos mbahet në kafazin e xhamit në sallat e gjyqit të Gjykatës së Posaçme.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka depozituar një kërkesë në GJKKO, ku kërkon që klienti i tij të mos mbahet në kafazin e xhamit, por të ulet pranë mbrojtësit.
Sipas kërkesës, mbajtja në kafazin e xhamtë e stigmatizon Metën para trupit gjykues, publikut dhe mediave, krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe "fajësisë së paracaktuar", ia pamundëson komunikimin e lirë, konfidencial e të menjëhershëm me avokatin dhe e trajton si objekt sigurie, jo si objekt të së drejtës.
Duke e konsideruar si shkelje kushtetuese mbajtjen e klientit të tij në kafazin e sallës gjatë seancave, avokati kërkon përfundimisht nga gjyqtarja Irena Gjoka, konstatimin e shkeljes së të drejtave kushtetuese, ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike dhe vendosjen e të pandehurit pranë avokatit pa barrierë fizike dhe pa izolim sipas parimeve të dinjitetit njerëzor. (A2 Televizion)