
Është shtyrë për të premten ora 09:00 seanca gjyqësore e themelit për Erjon Veliajn dhe 29 të pandehurit e tjerë. Kryebashkiaku Veliaj nuk është i pranishëm në seancë dhe përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Edhe Ajola Xoxa nuk është e pranishme në seancë dhe përfaqësohet nga avokatët e saj. Të pranishëm janë dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani.
Dje Gjykata e Posaçme shfuqizoi masat e sigurisë "detyrim për paraqitje" dhe "ndalim të daljes nga vendi" për Ajola Xoxën, bashkëshortjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Xoxa kishte kërkuar heqjen e masave të sigurisë duke e argumentuar këtë kërkesë me gjendjen shëndetësore të saj, për shkak të shtatzënisë dhe mundësimin për të lëvizur jashtë shtetit.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në "arrest me burg" që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. (A2 Televizion)