
Janë dërguar në gjyq për shpërdorim detyre ish-drejtorët e AMP-së të cilët mundësuan punësimin në institucion të shtetasit Mustafa Sheqeri pa verifikim real.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Artiol Saliasi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i AMP dhe Gëzim Sala Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kujtojmë që Mustafa Shalijani (Sheqeri), mbeti i vrarë bashkë me Gilmando Danin, gjatë një atentati të ndodhur në Rinas më 11 nëntor të vitit që lamë pas.
“Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi se shtetasi M. Sh. u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në shkelje të Ligjit Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe të Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Veprimet përgatitore dokumentare u kryen nga shtetasi G.S., në cilësinë e Drejtorit të Personelit dhe ato vendimmarrëse nga Drejtori i Përgjithshëm (i Komanduar) i kohës A.S. Të dy këta shtetas me veprimet e mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi faktohet që në momentet e para të paraqitjes së kërkesës së shtetasit M. Sh. për punësim në AMP, kanë biseduar me njëri-tjetrin rastin e këtij shtetasi, duke kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik Nr.128/2021 “Per Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe te Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, ku janë përcaktuar qartë fazat duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimi i komisionit për vlerësimin e kandidaturës, testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhrit të punësimit i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente””, thuhet në njoftim.
“Nga deklarimet e marra ndaj drejtuesve të strukturave në asnjë rast nuk dokumentohet as me shkrim dhe as verbalisht “nevoja emergjente” e ndonjë strukture që tregon se asnjë prej strukturave nuk ka patur apo kërkuar rekrutim punonjësish për nevoja emergjente të punës. Shtetasi M.Sh., u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur u paraqit zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025 që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP. Është paguar me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri në datë 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë. Nga hetimet rezultoi se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë”, vijon njoftimi.
(A2 Televizion)