Një ditë pas zjarrit në Pogradec, dy banesa të djegura totalisht

Nga Artin Halili
5 Janar 2025, 15:05 | Kronikë

Një ditë pas zjarrit në Pogradec, dy banesa të djegura

Zjarri masiv që përfshiu një banesë kolektive në qytetin e Pogradec ka dëmtuar banesat e 4 familjeve, dy prej të cilave janë djegur totalisht. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli ishte në zonë ku pa nga afër gjendjen e familjeve të dëmtuara.

Kryefamiljarja e njërës prej banesave mes lotësh përshkruante situatën duke thënë se kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar pasi i kishin kërkuar familjarëve të 80-vjeçarit që të kujdeseshin për të pasi mund të shkaktonte një situatë të tillë. Ndërsa shtoi se ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve parandaloi një tragjedi.

“Vetë e di si shpëtova, ta kalosh të të bjerë zjarri, çupa 4 vjeç, djali 8 vjeç, nuk ka më keq se kaq. I mbajta fëmijët nën sqetull. Mirë që erdhi zjarrfikësja në moment, sa e morëm në telefon erdhi, mos ishin ata do ishte bërë katastrofë e madhe", tha gruaja.

Për këtë familje bashkia ka siguruar një banesë me qira, ndërsa i moshuari është strehuar tek vajza e tij. Kryebashkiaku Xhakolli tha se po bëhen të gjitha veprimet e nevojshme që sa më parë dy banesat e dëmtuara më shumë, të kthehen në të banueshme, ndërsa dy të tjera do të dëmshpërblehen.

“Zjarri ishte i përmasave të mëdha ku u përfshinë 4 familje, ku dy janë më të dëmtuara. Njërës prej familjeve i kemi gjetur shtëpi me qira dhe do i sigurojmë ushqim dhe veshmbathje. Grupi i emergjencave po punon për vlerësimin e dëmeve dhe Bashkia do t’i mbështesë sa më shpejt që banesat të rindërtohen", u shpreh kryebashkiaku.

Zjarri masiv përfshiu banesat mbrëmjen e së shtunës. Përmasat e tij ishin të mëdha aq sa rrezikuan gjithë bllokun e pallateve, por falë punës së zjarrfikësve u arrit që zjarri të izolohej dhe fikej pa u përhapur më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos