Policia në Gramsh në kuadër të operacionit të koduar “Survejimi”, ka arrestuar në flagrancë një 63-vjeccar teksa ujiste bimët e kanabisit, të kultivuar shumë pranë banesës së tij.
“U arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 63 vjeç, banues në fshatin Grazhdan, pasi u kap duke u kujdesur për 35 bimë narkotike të kultivuara në një zonë pyjore pranë vendbanimit të tij”, njofton policia.
Po ashtu në vijim të veprimeve hetimore, policia ushtroi kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu, 2 radio të ngjashme me ato të përdorura nga strukturat e Policisë, si dhe 60 fishekë luftarak të kalibrave të ndryshëm, të gjitha të mbajtura pa leje.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim djali i të arrestuarit, shtetasi A. H., 33 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet paraprake dyshohet se ai ka bashkëpunuar me babanë e tij në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje, ndërsa armët, municionet dhe pajisjet e tjera të sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimeve të mëtejshme.
I arrestuari akuzohet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”. (A2 Televizion)