Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, tregoi detaje nga vrasja e 31-vjeçarit Egli Pashollari në studion e “Dita Jonë”.
“Është abuzuar shumë, sidomos në rastin e vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari, që ndodhi në zonën e ish-Parkut, pranë banesës së viktimës. U tha fillimisht se 31-vjeçari u vra me thikë për shkak se kishte ngacmuar bashkëshorten e autorit. Kjo nuk është e vërtetë. Nga komunikimet që kam pasur, ishte person i respektuar nga komuniteti i asaj zone, pa probleme. Ditën që ka ndodhur ngjarja e rëndë, Egli Pashollari ka qenë me agjërim. 31-vjeçari ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij në zonën ku banonte dhe para makinës së tij ka qenë i parkuar me bllokazh autori i krimit, teksa po priste bashkëshorten të dilte nga puna. Aty ka nisur konflikti, sepse Egli ka kërkuar që të hapej rruga. Kjo ka qenë zanafilla e konfliktit”, tha Çelmeta.
“Më pas, është vijuar me ofendime të anasjella dhe pasi autori ka marrë në makinë bashkëshorten dhe ka nisur lëvizjen, Egli e ka parakaluar dhe ka ndaluar makinën. Aty ka nisur konflikti fizik dhe në një moment autori e ka qëlluar 3 herë me thikë. Plagët ishin fatale”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)