Gjykata e Tiranës ka vendosur të caktojë masën e sigurisë arrest në burg për shtetasin Flodian Plakun i njohur dhe me mbiemrin Mamo dhe Serjani, i cili u arrestua dy ditë më parë në një hotel në zonën e Orikumit.
42 vjeçari konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte shpallur në kërkim për vrasjen e ish-efektivit të policisë Gentian Bejtja.
Përpara trupit gjykues, Plaku ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke pretenduar se policia e ka vënë në kërkim vetëm pasi 10 ditë përpara këtij krimi ka përdorur një mjeti tip Golf.
Flodian Plaku u përfaqësua në gjykatë nga avokati i caktuar nga gjykata, Edvis Gorishti i cili kërkoi një masë më të butë sigurie, por qe u refuzua.
Sipas informacioneve Plakut i janë sekuestruar edhe aparate celularë gjatë arrestimit. Ato janë dërguar drejt SPAK pasi në brendësi të tyre ka prova të shumta, biseda në lidhje me ngjarje kriminale të organizuara më parë, pazare droge dhe ngjarje në organizim e sipër.
Telefonat do të zbërthehen nga SPAK dhe pritshmëritë janë që të luajnë një rol kyç për zbardhjen e ngjarjeve apo personazheve në botën e errët. (A2 Televizion)