Dy raste të paligjshmërive janë goditur nga Policia Kufitare në Korçë, gjatë kontrolleve të imtësishme në dy pika kufitare të qarkut. Operacionet u zhvilluan në kuadër të analizës së riskut dhe përforcimit të masave për parandalimin e veprimtarive të jashtëligjshme.
Në Qafë Thanë, gjatë kontrollit të një kamioni me targa të Maqedonisë së Veriut, i drejtuar nga shtetasi V. T., 30 vjeç, u zbulua një emigrant i paligjshëm me origjinë nga Maroku, i fshehur nën rimorkio. Policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë për drejtuesin e kamionit, me akuzën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shkruan A2 CNN.
Në PKK Goricë, në automjetin e shtetasit T. A., 63 vjeç, nga fshati Zaroshkë, u gjetën mallra ushqimore dhe medikamente pa fatura, të cilat dyshohen të jenë kontrabandë. Ndaj tij nisi procedimi penal për veprat "Kontrabanda me mallra të tjera" dhe "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë". Mallrat u sekuestruan si prova materiale.
Policia Kufitare e Korçës thekson se kontrollet do të vijojnë me intensitet të lartë, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar paligjshmëritë dhe për të ofruar një shërbim të sigurt dhe të shpejtë për qytetarët. (A2 Televizion)