Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirim nga qelitë e paraburgimit. Gjyqtari Erion Bani vlerësoi se masa e sigurisë “arrest në burg” ndaj kreut të bashkisë së kryeqytetit duhet të vijojë.
Kërkesa për ndryshim të masës së Veliajt u artikulua nga avokati i tij, Ermir Beta, në seancën e radhës të informacionit 2-mujor, seancë ku SPAK informon gjykatën mbi ecurinë e hetimit.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura nuk ishte i pranishëm vetë kryebashkiaku, i cili qëndron në qeli prej shkurtit të këtij viti, kur u arrestua si i dyshuar për “korrupsion” dhe “pastrim të parave”.
Përmes avokatit, Veliaj shprehu gatishmëri për zbutje të masës edhe kundrejt garancisë pasurore, në një vlerë në çmim të gjykatës, por që nuk u mor parasysh nga gjyqtari Erion Bani.
Në të njëjtin vendim, Bani vendosi vijimin e masës “arrest në shtëpi” edhe për biznesmenin Elman Abule, i dyshuar për “pastrim të parave”, në këtë çështje.
Gjatë seancës përfaqësuesit e SPAK i thanë gjykatës se kryebashkiaku po hetohet edhe për përdorimin e një aparati telefonik të një punonjësi të policisë së burgjeve teksa transportohej në gjykatë, si edhe për një apartament në emër të një shoqërie tregtare, që dyshohet të jetë pasuri e fshehur e bashkëshortëve Erion Veliaj, Ajola Xoxa.
Përmes avokatit, Veliaj ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje pasurore me apartamentin, që aktulisht është nën sekuestro. Në një proces të veçuar, Apeli i Posaçëm, la në fuqi të martën masën e sekuestros për këtë pronë, që ndodhet ngjitur me apartamentin ku banonte kryebashkiaku në Tiranë. (A2 Televizion)