Ylli Zalla është arrestuar pasditen e sotme pranë banesës së tij në Fushë-Krujë. Në operacionin për prangosjen e 49-vjeçarit të shumëkërkuar, që i kishte shpëtuar disa herë policisë, u përfshinë edhe forcat RENEA. Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke publikuar pamjet në rrjetet sociale. Vlen për t’u theksuar që gjatë arrestimit Zallës iu gjet një armë zjarri kallashnikov dhe tre krehra.
Kujtojmë që disa operacione ishin zhvilluar së fundmi nga "uniformat blu" për kapjen e Ylli Zallës. Një ditë më parë, atij iu vendos tritol në banesë, ku u shkrumbua makina e tij tip "Benz". Në lidhje me këtë ngjarje ka dyshime se mund të jetë e inskenuar. Ylli Zalla u shpall në kërkim që prej nëntorit 2025, pas zbulimit të një arsenali armësh gjatë hetimeve të zhvilluara pas atentatit në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, thuhet në reagimin e ministrit Lamallari.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili kishte mundur t’i shpëtonte disa herë Policisë.
Në kuadër të operacionit “Fundi i Arratisë”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin në një zonë të pyllëzuar. Në momentin e kapjes, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri kallashnikov dhe 3 krehra.
Më datë 14 nëntor 2025, në banesën e tij u gjet një arsenal armësh, lëndësh plasëse, armësh zjarri dhe municioni.
Më datë 20 shkurt, në vijim të kontrolleve të ushtruara në zonën përreth dhe pranë banesës së 49-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë gjetën dhe sekuestruan një arsenal armësh, lëndësh plasëse dhe municioni luftarak, lëndë narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, më datë 23 qershor, në vijim të operacioneve për kapjen e tij, gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)