Policia ka zbardhur një vrasje të tetë viteve më parë. Në Dibër është finalizuar operacioni i koduar “Twins”, që çoi në arrestimin e dy vëllezërve binjakë, të dyshuar sipas policisë si të përfshirë në një vrasje të ndodhur në vitin 2018 në Bulqizë.
Pas një hetimi disa mujor, Policia e Dibrës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë siguruar prova se dy persona të dyshuar për krimin ishin strehuar në qytetin e Gjirokastrës. Policia organizoi operacionin dhe arrestoi shtetasit Kelmend Krusa dhe Klodian Krusa, të dy 39 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjatë kontrollit të banesave të tyre, policia sekuestroi 3 armë zjarri, konkretisht dy kallashnikovë dhe një pushkë, municion luftarak, krehra, një thikë, një maskë dhe tre aparate celularë. Armët janë dërguar për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në vrasjen e vitit 2018 apo edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarjen e 2018-ës. (A2 Televizion)