Arratisja e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali i Durrësit u bë shkak të enjten për dështimin e seancës gjyqësore ndaj tij në Gjykatën e Posaçme. Përmes një shkrese, në gjykimin e të pandehurve të dosjes “Plumbi i Artë”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi gjykatën se nuk kishte mundësi të shoqëronte Ndocin në seancë, shkruan A2. “Nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës”, thuhej në shkresë.
Mosmarrja dijeni e Ndocit për seancën gjyqësore pamundësoi vazhdimin e saj, ndonëse avokati i tij ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Para se të shtynte seancën për më 20 janar, gjykata vendosi t’i drejtohej Policisë së Shtetit për të konfirmuar shpalljen në kërkim të Ndocit dhe mundësinë ose jo të njoftimit të tij për gjyqin.
Jashtë sallës, avokati i Ndocit tha se nuk kishte pasur komunikim me të pas arratisjes. “Kështu që klienti ka pasur besim në mbrojtjen që ne do t'i bënim për një mbrojtje efektive. Kështu kemi proceduar. Nuk kemi pasur as dijeni përpara lidhur me veprimet apo mosveprimet e tij dhe as pas. Por unë personalisht si mbrojtës ka shumë kohë që nuk e kam takuar se nuk e kam parë të arsyeshme duke qenë se gjyqin e kemi pas javë për javë dhe çfarë ndodh në proces bëhet e njohur botërisht dhe nga ju mediat kështu që nuk ka qenë e nevojshme që të takoheshim”, tha ai.
Altin Ndoci, i cili mbahej në paraburgim që prej vitit 2020, u arratis mesditën e së martës, teksa po i nënshtrohej një vizite mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit. (A2 Televizion)