Alketa Pere, një nga mjekët e akuzuar për skandalin tek Onkologjiku, u shfajësua publikisht para se të përballej me Gjykatën e Tiranës. Mjekja që, sipas prokurorisë, ka punuar pa u regjistruar në një klinikë private, shfaqi hapur edhe rezervat e saj për median.
“Më keni mërzitur ju gazetarët sepse më keni shtrembëruar fotot”, tha Pere.
Më i kursyer në fjalë, por nervoz në veprime, duke shtyrë mikrofonët, ishte mjeku Edmond Gashi. Në përfundim të seancës, Gjykata e Tiranës la të pandryshuar masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi dhe farmacistin Florian Marku, si edhe masat “detyrim për paraqitje” për pesë të tjerë, mjekë e koordinatorë në QSUT.
Mjeku Edmond Gashi zgjodhi të largohej nga një derë e pasme. Veprim për të cilin Gjykata e Tiranës dha një shpjegim zyrtar, që fliste për një gati arrati të mjekut: “Teksa ka qenë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pashoqëruar nga asnjë punonjës i Policisë së Shtetit”.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private. I njëjti hetim zbuloi mosvënien në punë të pajisjes së kobalto-terapisë tek Onkologjiku, e instaluar prej vitit 2021, si edhe kontrabandimin e ilaçeve të kancerit të spitalit dhe tregtimin e tyre në dy farmaci private. (A2 Televizion)