Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar për pallatin në të cilin zbarkoi ditën e djeshme IKMT-ja dhe vendosi që të konfiskohej, ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama.
Blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë nisur procesim për investitorin dhe administratorin e këtij objekti që po ndërtohet në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. H., 53 vjeç, dhe E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi në cilësinë e investitorit dhe administratorit të një subjekti ndërtues, këta shtetas u konstatuan në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, në lagjen “10 Korriku”, rruga “Ibrahim Avdullai”, Vlorë”, njofton policia.
Kujtojmë se ditën e djeshme drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, nga ambientet e pallatit në ndërtim në qytetin e Vlorës, tha se objekti në fjalë do t’i kalojë shtetit për t’u përdorur në funksion të interesit publik.
Drejtoresha e IKMT gjithashtu nënvizoi se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe objekte të tjera, të ndërtuara në shkelje të ligjit në mbarë territorin e vendit.
“Në vazhdën e kontrolleve, ashtu siç ka ndodhur edhe me objekte të tjera më parë, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit për interes publik. Jam këtu për t’ju bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi, me qëllimin që të garantojmë respektimin e ligjit, sigurinë e komunitetit dhe interesin publik”, u shpreh Bici. (A2 Televizion)