Për "masakrën" e Lushnjes, Apeli i Posaçëm mbyll përjetë në qeli Laert Haxhiun

Nga Armand Bajrami
13 Nëntor 2024, 17:16 | Kronikë

Laert Haxhiu, i njohuri për armiqësinë e fortë ,e ish-kreun e bandës së Lushnjës, Aldo Bare, do të qëndrojë përjetë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të mërkurën të lërë në fuqi dënimin me heqje të përjetshme të lirisë, si një nga autorët e “masakrës së Lushnjës”.

Në ngjarjen e ndodhur nëntorit e vitit 2017 në këtë qytet, në një përpjekje për vrasjen e nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti, mbetën të varë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

32- vjeçari Haxhiu, i arrestuar në Greqi vitin e kaluar dhe ekstraduar në Shqipëri në korrik 2024, u fajësua për vrasjen për hakmarrje të mbetur në tentativë ndaj Shkurtit për “vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, “grup të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Para shpalljes së vendimit, në sallën ku nuk ishte i pranishëm i pandehuri Haxhiu, avokati i tij, Detar Hysi kërkoi shfuqizim të dënimit me burg. Sipas avokatit, akuzat nuk provoheshin dhe se hetimi kishte nisur nga një video e servirur nga një prej familjarëve të viktimave, provë e marrë jo në formën e kërkuar nga ligji.

Përkundër këtij qëndrimi, përfaqësuesi i SPAK në sallë, Altin Dumani, kërkoi konfirmim të dënimit përjetë, me arsyetimin se të gjitha provat në dosje ishin administruar sipas ligjit dhe se nga harmonizimi i tyre provohej katërçipërisht përfshirja e Haxhiut në krim.

Për të njëjtën ngjarje në mars 2023, Apeli i Posaçëm dha burgime të përjetshme për dy miqtë e Haxhiut, Orges Bilbili e Anterio Kaloshi.

Sipas SPAK, Haxhiu formoi grupin kriminal me qëllim vrasjen e Xhulio Shkurtit, për llogari të një linje hakmarrjeje mes tij dhe Aldo Bares. Më herët ndaj tij rëndonte një dënim me 18 vite burg për një tjetër tentativë të vrasjes së Xhulio Shkurtit.

Pak ditë më parë Struktura e Posaçme mbylli hetimet për një grup kriminal me pesë anëtarë, që dyshohet se drejtohej nga Laert Haxhiu.

Pas arrestimit të Orges Bilbilit e Anterio Kaloshit, ky grup dyshohet të jetë përfshirë në 13 ngjarje të rënda kriminale përfshi, 4 vrasje dhe 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv. Sipas SPAK, pjesa me e madhe e krimeve kishte si motiv hakmarrjen e Laert Haxhiut ndaj Aldo Bares. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos