
Një apartament në katin e parë të një pallati në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër është përfshirë pasditen e sotme nga flakët.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se me mbërritjen në vendngjarje te efektiveve u konstatua se në banesë ndodhej një e moshuar, shtetasja Cevi Jonuzi, 83-vjeçe, e cila nuk ishte në gjendje të dilte jashtë dhe ndodhej gati e asfiksuar brenda banesës së përfshirë nga flakët.
Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, duke bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarës nga banesa dhe shoqërimin e saj në urgjencë për dhënien e ndihmës së parë.
Operacioni vijoi me vënien e zjarrit nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij dhe rrezikimin e banesave të tjera. Si pasojë e zjarrit, në banesë pati dëme materiale. (A2 Televizion)