Politologu Adri Nurellari u shpreh se Partia Demokratike po kërkon të radikalizohet në sjelljen e saj në Parlament, pasi, sipas tij, “për 5 muaj mbeti në hije dhe vëmendjen e mori protesta”.
“Unë kam qenë gjithmonë kundër shpërdorimit të Parlamentit. Sepse ai është vend ku ekzekutivi duhet të japë llogari. Është qesharake kur opozita saboton Parlamentin. Këtu duhet edhe një reflektim për gabimin që ka bërë opozita në të kaluarën, me bojkotin e Parlamentit. Unë e kuptoj pse po ndodh kjo gjë. Ndodh sepse PD-ja kërkon të radikalizohet që të rimarrë në dorë monopolin e opozitës. Këtu ajo po lufton në dy fronte. Nga një anë ka Ramën, nga ana tjetër ka protestuesit për protagonizmin. Sepse për 5 muaj mbeti në hije PD-ja dhe vëmendjen e mori protesta”, shpjegoi Nurellari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Ai theksoi se ngjarjet në Serbi rrëzuan alibitë e PD-së.
“Aq më tepër kur vijnë sinjale të freskëta nga Serbia, ku rrëzohen dy alibitë kryesore të PD-së: alibia e parë është që një autokrat mund të largohet edhe me votë; e dyta, opozita tradicionale pati vetëdijen kombëtare që të mos pengonte ndryshimin dhe i hapi krahun. Në rastin e Hungarisë, partitë tradicionale u investuan te një formacion i ri, me një lider të ri. Në Serbi, partitë opozitare i ofruan infrastrukturën studentëve. Ndërsa Partia Demokratike do edhe të rrëzojë karrigen e Ramës, por pa prishur karrigen e Berishës. Prandaj, kjo është përpjekje për të larguar vëmendjen nga nevoja për një alternativë të re e për ta çuar te konflikti. Nuk ka më nevojë për konflikt. E qartë është që kjo qeveri duhet të iki, por problemi kryesor është që nuk ka një alternativë të mirëfilltë. Alternativa është i njëjti që ka garuar në 1992. Këtë ofertë nuk mund t’ia bësh të rinjve”, shtoi politologu Adri Nurellari. (A2 Televizion)