Përmbyset skena e ngjarjes në Pogradec, 42-vjeçari që ndërroi jetë u godit me sende të forta

Nga A2 CNN
11 Gusht 2024, 10:18 | Kronikë

Përmbyset skena e ngjarjes në Pogradec, 42-vjeçari që

Është përmbysur plotësisht skena e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku fillimisht u raportua se një 42-vjeçar ndërroi jetë pasi u rrëzua në rrugë në gjendje të dehur.

Policia e Pogradecit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur, duke bërë me dije se shtetasi Eglantin Proga ka ndërruar jetë në spital, pas plagëve të marra nga goditjet me sende të forta gjatë një sherri në lokalin e të atit, që ndodhet pranë vendit të njohur si "Agjencia e Autobusëve".

Burime pranë grupit të hetimit bëjnë të ditur se 42-vjeçari ka qenë duke konsumuar alkool brenda lokalit së bashku me disa persona të tjerë, ndërsa më pas ka filluar dhe konflikti me grushte dhe sende të forta.

Ka qenë shtetasi Denis Meçe, banues në fshatin Buçimas, ai i cili dyshohet se ka goditur Progën me sende të forta, duke i shkaktuar plagë të rënda dhe fraktura në kokë.

Menjëherë pas ngjarjes, 29-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, por policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes nga këqyrja e kamerave të sigurisë.

Në orën 01:30, pas mesnate efektivët kanë bërë të mundur ndalimin e Denis Meçes, si i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. I riu akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos