Tre të afërmit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, të cilët u bënë protagonistë të një incidenti me efektivët e Forcës Operacionale dhe agjentë të BKH-së, mbrëmjen e së martës, akuzohen për “goditje për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim nga Prokuroria e Fierit.
Organi i akuzës përmes një komunikate për mediat sqaron se ka regjistruar procedim penal për Ledjan Kapllanaj, Klaudjo Kapllanaj dhe Gerald Kollçakun. Po ashtu Prokuroria sqaron në detaje përplasjen që të afërmit e Kapllanaj patën me forcat e rendit dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare.
I gjithë episodi ka nisur në një kohë kur një agjent i BKH-së, i shoqëruar nga efektivët ka qenë duke zhvilluar një operacionin me urdhër të SPAK në fshatin Portëz e Madhe.
Sipas organit të akuzës ata janë filmuar nga një person dhe kjo i ka bërë të braktisin operacionin për t’u zhvendosur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, ku edhe u janë afruar disa persona që mbërritën me 3 makina, për t’i sulmuar fizikisht.
"Gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit", sqaron Prokuroria.
Një version ndryshe të ngjarjes kishte paraqitur në një prononcim për A2 CNN, Agron Kapllanaj, i cili pretendon se agjentët e BKH kishin ngritur një dron mbi zyrat e subjektit politik ku ai bën pjesë, “Djathtas 1912”, ç’ka ka nxitur reagimin e të afërme të tij për të kërkuar llogari.
“Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, një makinë civile, me 4 civilë brenda, u parkua pranë ambienteve të biznesit të familjes sonë dhe ka ngritur një dron për të filmuar. U largua dhe u kthye përsëri, duke ngritur sërish droning për të filmuar. Roja, i shqetësuar, ka njoftuar drejtorin, i cili ka dalë nga zyra, ku isha dhe unë bashkë me të, e i ka kërkuar shpjegime personave në fjalë. I ka pyetur pse ndodheshin aty. Thanë se ishin të interesuar për të blerë një pronë dhe prandaj e kishin ngritur dronin. Drejtori i tha se prona nuk ishte në shitje. ë këtë moment, ata u acaruan dhe i kërkuan që të fshinte foton që kishte bërë. Personi që ishte në timon e kërcënoi drejtorin, duke i thënë se do ta shikonte se çfarë do e gjente. Shoferi nis ta shajë e të fyejë drejtorin dhe më pas zbrita unë që të sqaroheshim. Në atë moment ata largohen. Drejtori më tha që të shkonim për të bërë kallëzim. Në komisariatin e Fierit kërkova shefin për të bërë kallëzimin. Kur po flisja me të, nipërit e mi dhe disa punonjës u larguan për në shtëpi. Pak para se të hynin në qytetin e Fierit, hasën me automjetin që kishte ardhur në kompani. Ndaluan për t’i kërkuar shpjegime se pse erdhën në kompani. Aty njëri prej personave në automjetin civil dhe e shtynë. Shoferi mbushi pistoletën dhe ua drejtoi familjarëve të mi dhe i thote që largohuni, ose do ju vras! Pastaj erdhi patrulla e policisë. U mundua të neutralizonte personin me armë në dorë. Aty u prezantuan si punonjës të BKH-së. Ky ishte i gjithë incidenti”, tha Kapllanaj për “Ditari” nga Andi Nuraj në A2 CNN.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr.509, datë 16.04.2025, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 237/3 e 25 të Kodit Penal, mbi bazën e njoftimit nga shërbimet e policisë gjyqësore për një ngjarje të ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, Fier.
Menjëherë pas njoftimit, policia gjyqësore nën drejtimin e Prokurorisë Fier, ka kryer veprimet e para hetimore nga të cilat është dokumentuar se, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe, Fier.
Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, Prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasve K.K., L.K. dhe G.K.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të cilat cenojnë jetën e shëndetin e punonjësve të policisë së shtetit dhe të personave që kryejnë detyrë shtetërore apo shërbim publik.
(A2 Televizion)