Plagosi me armë automatike shokun, arrestohet autori i ngjarjes në Borsh

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 09:00 | Kronikë

Plagosi me armë automatike shokun, arrestohet autori i ngjarjes në

Efektivët e policisë së Himarës kanë arrestuar në kohë rekord autorin e plagosjes me armë zjarri, që ndodhi pas orës dy të mëngjesit në një lokal në Borsh.

Blutë sqarojnë se në pranga ka rënë 42-vjeçari Hekuran Çelaj, pasi qëlloi me armë automatike mikun e tij.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në një lokal në Borsh, rreth orës 02:20 të datës 31.07.2025, janë angazhuar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje. Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi H. Ç. ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin E. Sh., 33 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

Gjithashtu, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në këtë konflikt, ku i riu mbeti i plagosur në pjesën e dorës.

Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos