Policia e kryeqytetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Freskut, ku u plagos me armë zjarri 28-vjeçari Juglen Abazi. Polia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e plagosjes së të riut, ndërsa ka arrestuar një prej bashkëpunëtorëve të tij.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Thoma Filipeu”, në Fresk, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 28-vjeçari J. A., specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Jetës dhe Pronës kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Në vijim të veprimeve proceduriale:
U shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi K. C. (L.), 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-U arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Q., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”;
-U shpall në kërkim shtetasi A. G., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit””.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy shtetasit e mësipërm kanë ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendngjarja. policia vijon punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)