Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e djeshme të ndodhur në lagjen Pavarësia, ku gjatë një konflikti mes të rinjve dy prej tyre përfunduan në spital të plagosur me thikë. Pas këqyrje së kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes, policia ka vënë në pranga një 32-vjeçar, i cili ka goditur me thikë dy të rinjtë e tjerë.
Dy persona janë plagosur me mjet prerës dhe janë transportuar menjëherë në spitalin e Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti mes tyre në rrugën Pelivan Leskaj, pjesë e lagjes Pavarësia në Vlorë. Personat e përfshirë në konflikt janë identifikuar si Kristi Konstadini 32 vjeç, Marjus Farkaj 39 vjeç dhe Indrit Halili 32 vjeç.
Sipas burimeve brenda policisë së Vlorës për A2 CNN, shtetasit në fjalë janë konfliktuar me njëri-tjetrin, fillimisht me fyerje dhe sharje, më pas ka kaluar në shkelma dhe grushte dhe më pas në përdorimin e thikës.
Si rrjedhojë e konfliktit fizik dhe me mjete prerëse, dy personat Kristi Konstadini 32 vjeç dhe Marjus Farkaj janë plagosur. Ata janë dërguar menjëherë pas sherrit në spital, ku më pas i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Më pas, pasi është verifikuar ngjarja, janë parë kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë, është arrestuar edhe autori Indrit Halili 32 vjeç në spital. Si rrjedhojë e shkelmave dhe grushteve, edhe ky i fundit ka marrë plagë dhe ka shkuar për ndihmë mjekësore. Ai raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Gjendja shëndetësore e të plagosurve raportohet të jetë gjithashtu jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, në vendngjarje është gjetur dhe thika, po ashtu dy persona të dyshuar për ngjarjen janë shoqëruar në polici, por pas dëshmisë dhe verifikimeve janë lënë të lirë.
Në ambientet e spitalit ka shkuar edhe policia, e cila ka marrë dëshminë e të tre personave të përfshirë në konflikt. Policia e Vlorës për ngjarjen në fjalë ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. (A2 Televizion)