Një konflikt për motive të dobëta ka rezultuar në plagosjen me kosore në kokë dhe trup të 39-vjeçarit Paulin Vela në fshatin Bushat të Vaut të Dejës. Policia ka vënë në pranga autorin 56-vjeçar Besnik Shkambi, banues në fshatin Mali i Jushit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e një lokali, në qendër të Bushatit ka pasur një konflikt për motive të dobëta, ku shtetasi B. Sh. kishte goditur me mjet prerës (kosore) një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Sh., 56 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit”.
Sipas policisë “nga veprimet hetimore, dyshohet se shtetasi P. V., 39 vjeç, është dëmtuar në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit dhe ka pësuar frakturë (thyerje) në krahun e djathtë, pasi është goditur me mjet prerës (kosore) nga shtetasi B. Sh., gjatë një konflikti për motive të dobëta. Mjeti prerës (kosore) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Shtetasi P. V. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)