Ndërron jetë i riu që mbeti i plagosur në aksidentin e 6 shtatorit në Vlorë

Nga Edi Ruçi
18 Tetor 2025, 09:57 | Kronikë

Ndërron jetë i riu që mbeti i plagosur në aksidentin e 6

Ka ndërruar jetë i riu që një muaj e gjysmë pas një aksidenti të rëndë që ndodhi më 6 shtator, në orët e vona të mbrëmjes, në zonën e Fushë-Dukatës.

Sipas burimeve i riu, i cili ishte plagosur rëndë në përplasjen mes dy automjeteve, kishte kaluar një periudhë të gjatë trajtimi në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pas daljes nga spitali, ai kishte zhvilluar infeksione në plagët e marra gjatë aksidentit, gjë që e çoi në përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore. A2 CNN raporton se pavarësisht ndërhyrjes urgjente mjekësore dhe transportimit të tij sërish drejt spitalit, i riu nuk ka mundur të mbijetojë.

Ngjarja që i mori jetën të riut ndodhi në mesnatën e 6 shtatorit, rreth orës 01:30, në aksin rrugor Orikum–Himarë, në fshatin Dukat Fushë. Një automjet tip “Audi” ishte përplasur me një tjetër “Fiat”, duke shkaktuar katër të plagosur, mes tyre edhe 21-vjeçarin që humbi jetën pas disa javësh.

Policia bëri me dije se nën hetim është vënë drejtuesi i “Audit”, Fadil Bodo, 22 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë shkaktar i përplasjes për shkak të shpejtësisë së lartë. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe pasagjerët Flavio Qepi, 20 vjeç, dhe D.K., 21 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë, si dhe drejtuesi i “Fiatit”, Gabriel Lazemetaj, 20 vjeç.

Në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës më 6 shtator thuhej:

“Rreth orës 01:30, në aksin rrugor Orikum–Himarë, automjeti tip ‘Audi’, që drejtohej nga shtetasi F. B., 22 vjeç, është përplasur me automjetin tip ‘Fiat’ me drejtues shtetasin G. L., 20 vjeç. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit dhe dy pasagjerët e ‘Audit’, shtetasit F. Q. dhe D. K. Ky i fundit u transportua në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore të specializuar.”

Hetimet vijojnë Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga një prej automjeteve. Policia dhe Prokuroria e Vlorës po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes që mori një jetë të re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos