Plagosja e 21-vjeçarit në Tiranë, 3 autorët i shkojnë në shtëpi, e godasin me shishe në kokë dhe i presin njërin vesh

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 12:19 | Kronikë
Plagosja e 21-vjeçarit në Tiranë, 3 autorët i shkojnë
Foto ilustruese

Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë, ku një 21-vjeçar u plagos rëndë nga 3 shtetas.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se sherri ka nisur në rrjetet sociale, më pas 3 autorët i kanë shkuar 21-vjeçarit te shtëpia dhe e kanë goditur me shishe në kokë.

Mes dëmtimeve të shumta, mësohet se 21-vjeçarit i është prerë totalisht edhe njëri vesh, shkruan A2 CNN.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ka arrestuar 3 autorët, shtetasit Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj.

Po ashtu bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobta, ndërkohë që 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, shkruan A2 CNN.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Plagosën rëndë për motive të dobëta një 21-vjeçar, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas.

Specialistët  për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos