Nëntë persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës për vepra të ndryshme penale. Sipas Policisë, në pranga ka përfunduar një i mitur i cili një ditë më parë plagosi me thikë shokun e tij në ambientet e shkollës "Shote Galica”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 17 vjeç, pasi ditën e djeshme, në ambientet e shkollës "Shote Galica" 17-vjeçari dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin K. D., 18 vjeç. Si pasojë shtetasi K. D., është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.
Një 33-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi ka shkelur masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi".
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin Xh. F., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi"”.
Për prishje të rendit dhe qetësisë publike si dhe kanosje ndaj punonjësve të Policisë janë arrestuar 4 persona ndërsa 2 janë proceduar ën gjendje të lirë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit E. Sh., 40 vjeç, A. K., 21 vjeç, E. P., 21 vjeç, D. O., 21 vjeç, banues në Tiranë, të dyshuar për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik", "Goditjet për shkak të detyrës", "Kanosja për shkak të detyrës" dhe "Prishja e qetësisë publike". Gjithashtu proceduan në gjendje të lirë shtetasit O. S., 21 vjeç, dhe E. L., 51 vjeçe, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Prishja e qetësisë publike". Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, në rrugën "Tish Daija", kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanosur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë si dhe një qytetare që kishte njoftuar shërbimet e policisë për prishje të qetësisë publike, në një lokal”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin I. A., 51 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 1 vit e 2 muaj e 25 ditë burgim për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Në pranga kanë rënë edhe dy drejtues automjetesh, njëri prej tyre duke u përplasur me jë mjet tjetër dhe tjetri nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasit: O. Ç., 57 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet tjetër dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale; G. V., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe nuk i është bindur punonjësve të Policisë për të bërë testin e alkoolit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë. (A2 Televizion)